ACA organizon edicionin e 10-të të Konkursit Kombëtar “Të Sigurt mbi Dy Rrota”

0
848

Auto Club Albania do të organizojë edicionin e 10-të të Konkursit Kombëtar Edukativ, “Të Sigurt mbi Dy Rrota”. Një kompeticion që zhvillohet me pjesëmarrjen e nxënësve të moshës 10-12 vjeç, të cilët përfaqësojnë shkollat e tyre. Çdo shkollë përfaqësohet nga një djalë dhe nga një vajzë, të cilët konkurrojnë mes tyre në Konkursin Kombëtar.

Ky konkurs është pjesë e Konkursit Evropian “European Traffic Education Contest”, që organizohet prej 35 vjetësh në kuadrin e programeve të FIA-s për rritjen e sigurisë në rrugë. Dy shkollat fituese do të përfaqësojnë më pas Shqipërinë në Konkursin Evropian “ETEC 2021”. Ideja qendrore e konkursit është edukimi i fëmijëve: Si të lëvizin më të sigurt në rrugë?; Si t’i përvetësojnë më mirë rregullat e trafikut? Nëpërmjet një cikli zbavitës ushtrimesh me biçikletë, synohet të nguliten në ndërgjegjen e fëmijëve rregullat bazë të sigurisë në rrugë. Në kushtet e vendit tonë, Auto Club Albania synon që nëpërmjet fëmijëve të ndërgjegjësohen edhe prindërit e tyre.

Këtë vit, kompeticioni do të zhvillohet ditën e shtunë në datën 5 Qershor 2021 në ambientet e ExpoCity, pranë CityPark. Për shkak të situatës së pandemisë, Auto Club Albania do të zhvillojë vetëm një finale me pjesëmarrjen e shkollave të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Ndryshe nga vitet e tjera ku Konkursi Kombëtar është shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë, këtë herë do të zhvillohet vetëm një ditë. Dy shkollat fituese të Konkursit, do të formojnë ekipin që më pas do të përfaqësojnë Shqipërinë në Konkursin Europian “European Traffic Education Contest”. Ekipi fitues do të përbëhet nga dy djem dhe dy vajza.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here