“ACA Karting Slalom 2019”, dy fitues në “FIA Motorsport Games”

0
1434

Emocion, adrenalinë, përqendrim dhe dëshirë për t’u ngjitur në podium.

Klubi i Automobilit të Shqipërisë zhvilloi sot për herë të parë në vendin tonë garën “ACA Karting Slalom 2019”. Një disiplinë pak e njohur për publikun e gjerë, por që të apasionuarit pas motorsportit e dinë që shumë prej pilotëve profesionistë përfshirë edhe ata të F1, e kanë nisur karrierën si pilotë kartingu.

Potenciali i kësaj kategorie motorsporti për tu rritur në Shqipëri është i madh, duke parë edhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet të parë të 24 garuesve, 19 djem dhe 5 vajza.

Çfarë është Karting Slalom?

Kjo disiplinë po rritet ndjeshëm kohët e fundit, ku djem dhe vajza 14-16 vjeç drejtojnë kartet me një shpejtësi të kontrolluar ndërmjet pengesave të ndryshme të krijuara me stafeta.

Në garën e që u zhvillua në pistën e Expocity, të rinjtë u njohën me pistën dhe mënyrën se si do të realizonin ushtrimet. Më pas, të gjithë bënë nga një xhiro testuese duke u orientuar nga asistentët e garës. Të rinjtë ndiqnin me emocion garën e gjithsecilit, ndërsa nuk humbisnin asnjë moment për të dokumentuar me foto dhe video pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.

Një garë e konceptuar në dy kategori, djem dhe vajza të moshës 14-16 vjeç dhe nën 14 vjeç ku të gjithë kishin mundësinë e dy xhirove. Gjithsecilit i llogaritej koha e xhiros si edhe saktësia gjatë ushtrimeve duke nxjerrë më pas edhe kohën totale.

Për djem në disiplinën 14-16 vjeç, në vend të parë u rendit Kristofor Mjeshtri me kohën totale 86.73 sekonda, i ndjekur nga Abi Muharremi me kohën 92.77 dhe në vend të tretë u pozicionua Marlind Veizati me 104.53 sekonda.

Në grupin nën 14 vjeç i pari u pozicionua Aniel Prenga me kohën 88.87.

Për femra, në disiplinën 14-16 vjeç morën pjesë vetëm dy, Alexia Karaguni që u rendit e para me 158.43 kundrejt Aretisa Gjika me 159.18, duke fituar me vetëm një sekondë diferencë.

Në grupin në 14 vjeç, në vend të parë u rendit Sindi Balla me kohën 122.05 e ndjekur nga Ines Stermasi dhe Enesta Karaguni.

FIA Motorsport Games

Dy fituesit, Kristofor Mjeshtri për djem dhe Alexia Karaguni për femra do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Ndërkombëtar “FIA Motorsport Games” që do të zhvillojë edicionin e parë të tij këtë vit më 31 tetor deri më 3 nëntor në Romë. FIA lançoi rregulloren e këtij kompeticioni të ri që në edicionin e parë do të zhvillojë gara në gjashtë disiplina: GT, Touring Car, Formula 4, Drifting, Karting Slalom dhe Digital Motorsport. E veçanta e këtij eventi është se pjesëmarrësit do të garojnë aty për të përfaqësuar shtetet e tyre. Rregulli për sa i përket disiplinës Karting Slalom është për pjesëmarrjen 14-16 vjeç. Në këtë mënyrë, pavarësisht kohëve më të mira që mund të realizonin, djemtë ose vajzat nën 14 vjeç nuk mund të fitonin të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “FIA Motorsport Games”. Kriteri i moshës është i padiskutueshëm në kampionatin e organizuar nga FIA. Djemtë dhe vajzat nën 14 vjeç morën pjesë në “ACA Karting Slalom 2019” vetëm për sa i përket renditjes në Shqipëri, por pa pasur mundësinë që të marrin pjesë në kompeticionin e Romës.

ACA i uron suksese dy fituesve në përfaqësimin e tyre të flamurit kuqezi për herë të parë në një kampionat kaq të rëndësishëm ndërkombëtar si “FIA Motorsport Games”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here