Z. Jean Todt, viziton Shqipërinë me ftesë të Klubit Shqiptar të Automobilit

Presidenti i FIA-s Jean Todt viziton Shqipërinë për të promovuar sigurinë rrugore.

Është hera e parë që vendi ynë pret një personalitetet të një rangu kaq të lartë si Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit Jean Todt. Me ftesë të Automobile Club Albania, vizita kishte në theks promovimin e sigurisë rrugore dhe takimin me personalitete të larta vendimmarrëse.

Më datën 6 Shkurt, me të mbërritur në Shqipëri, Z. Todt pati një takim në M.T.K.R.S., i shoqëruar nga Presidenti i ACA-s, Zv. Presidenti Ekzekutiv dhe Sekretari i Përgjithshëm. Para takimit zyrtar, në mjediset e Ministrisë ishte organizuar një ekspozitë surprizë nën kujdesin e ministrit, me kostume popullore kombëtare nga treva të ndryshme të Shqipërisë, të cilën Jean Todt e vizitoi me kënaqësi dhe shprehu një interes dhe admirim të veçantë për kulturën e popullit tonë. Më tej, gjatë vizitës zyrtare, ministri Bumçi e njohu Presidentin e FIA-s me situatën e sportit motorik në Shqipëri, i cili është në fazat e tij fillestare dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje maksimale për Automobile Club Albania në hapat e mëtejshme të zhvillimit të sportit motorik, duke u mbështetur në rregullat dhe rregulloret e FIA-s e sidomos në çështjet e sigurisë në sport, si një element thelbësor i zhvillimit të suksesshëm të tij. Në vijim të bisedës, ministri Bumçi e njohu Presidentin e FIA-s me disa nga terrenet e pazbuluara të vendit tonë që mund të jenë ideale për zhvillimin e garave të disiplinave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare rally duke sjellë në të njëjtën kohë edhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Gjithashtu Jean Todt, duke ofruar mbështetjen maksimale nga FIA në këtë drejtim, ofroi mundësinë e zhvillimit të ceremonisë zyrtare të dhënies së çmimeve sportive motorike evropiane në vendin tonë në vitin e ardhshëm, për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme futjes së Shqipërisë në hartën evropiane të garave të disiplinave të ndryshme. Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit për moshat e reja në lidhje me sigurinë rrugore në vend dhe projektet konkrete që ministria mund të zhvillojë në bashkëpunim me ACA-n me mbështetjen e FIA-s në këtë drejtim. Pas takimit, Jean Todt dhe ministri Bumçi patën një darkë jo zyrtare, në prani dhe të bordit drejtues të Automobile Club Albania.

Dita e nesërme, duke qenë se axhenda ishte shumë e ngjeshur, filloi me një vizitë të shkurtër në qytetin e Durrësit dhe më pas me vizitën zyrtare të Jean Todt në selinë zyrtare të ACA-s pranë Auto City, në autostradën Durrës -Tiranë. Takimi ishte shumë frytdhënës për shumë arsye: së pari Presidenti i FIA-s u njoh me të gjithë veprimtarinë e klubit dhe përkushtimin e punonjësve të tij në çështjet që lidhen me ofrimin e asistencës rrugore dhe zhvillimit të sportit motorik në vend. Po ashtu një rëndësi e veçantë iu kushtua fushatave të ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore në vend dhe lançimit zyrtar të fushatës së veprimit për sigurinë rrugore gjatë dekadës 2011-2020. Nisur nga kjo vizitë e veçantë, Presidenti i FIA-s dhe Presidenti i ACA-s nënshkruan një çertifikatë përkushtimi ku Automobile Club Albania zotohet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ndërgjegjësimin e shoqërisë në lidhje me sigurinë në rrugë bazuar në “FIA Action for Road Safety”.

Automobile Club Albania ka nisur tashmë një fushatë të fokusuar në tri çështje bazë që lidhen me sigurinë rrugore dhe që janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në vendin tonë si mbajtja e rripit të sigurimit, respektimi i limitit të shpejtësisë dhe mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit. Këto tri çështje janë edhe në 10 rregullat e arta të FIA-s për udhëtim të sigurt.

Në mesditë, shoqëruar edhe nga stafi i klubit, Todt u prit nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi. Takimi ishte pothuajse tërësisht i përqendruar në çështjet që lidhen me sigurinë rrugore. Fillimisht, Olldashi e njohu presidentin e FIA-s me përpjekjet e qeverisë për të ulur numrin e aksidenteve në vend, të cilat përbëjnë ende një fenomen shumë shqetësues në vend. Ai theksoi se qeveria i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zhvillimit të infrastrukturës rrugore gjatë viteve të fundit, duke sjellë një përmirësim thelbësor të saj jo vetëm në shkurtimin e kohës së udhëtimit, por edhe të sigurisë së udhëtimit në to. Ministri theksoi se mbetet ende shumë për të bërë për pajisjen e kësaj infrastrukture me të gjithë sinjalistikën dhe standardet e nevojshme të sigurisë në rrugë në përputhje me normativat evropiane. Gjithashtu një rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit të përdoruesve të rrugës duke nisur nga këmbësorët e deri tek drejtuesit problematikë, agresivë. Nga ana tjetër Todt, theksoi se aksidentet rrugore janë tashmë një problem mbarëbotëror, aq sa aksidentet renditen ndër shkaqet kryesore të humbjeve të jetëve në planet. Gjithashtu, ai vuri në dijeni zotin ministër se rreth 90% e aksidenteve në mbarë botën ndodhin në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim. Një zgjidhje efikase për rritjen e ndërgjegjësimit do të ishte përdorimi i figurave të shquara të artit dhe sportit si ambasadorë të promovimit të sigurisë rrugore në vend. Todt gjithashtu sqaroi se bashkëpunimi me klubin, i cili është pjesë e një familje shumë më të madhe botërore si FIA, mund të bëjë që synimet e pritura në këtë drejtim të arrihen më parë. Shkëmbimi i sinergjive përmes praktikave më të mira, të provuara të suksesshme në vende të tjera, do të bënte që problemet e sigurisë në rrugë të trajtohen në  mënyrën më profesionale të mundshme.

Ministri dhe stafi i tij e njohën presidentin e FIA-s edhe me ndryshimet e kohëve të fundit të kodit rrugor, duke shpresuar se rritja e masës administrative për shkeljet dhe futja e lejes së drejtimit me pikë gjatë vitit të ardhshëm, do të sjellin një përmirësim domethënës në shifrat e aksidenteve. Gjithsesi kjo nuk është gjithçka. Do të punohet për rritjen e ndërgjegjësimit, edukimin e të gjithë popullsisë e sidomos fëmijëve, implementimin e sistemeve inteligjente të transportit si masë kryesore për zbehjen e fenomenit të korrupsionit në forcat e policisë rrugore si dhe kompjuterizimin e të gjithë sistemit të pajisjes së qytetarëve me leje drejtimi.

Jean Todt, nga ana tjetër, theksoi në veçanti se parku i automjeteve në Shqipëri është shumë i vjetër, duke qenë se një mjeti mesatar ka moshë më të madhe se 15 vjet dhe kjo ka një impakt të konsiderueshëm në aksidentet rrugore, sepse mjetet e reja janë të pajisura me një sërë sistemesh të mbrojtjes së drejtuesit dhe pasagjerëve, duke nisur me sistemin e airbag-ëve e deri te kontrolli elektronik i qëndrueshmërisë që tashmë është thuajse një pajisje seri në të gjitha mjetet e reja. Në këtë drejtim ai këshilloi zotin ministër të ndërmarrë nisma ligjore për penalizmin maksimal të importimit të mjeteve të përdorura duke u bazuar në normativat evropiane në fuqi. Pas vizitës, Jean Todt dhe Sokol Olldashi mbajtën një konferencë për shtyp ku ministrit, në shenjë falënderimi për nismat e ndërmarra, iu dhurua një çertifikatë përkushtimi drejtuar Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Gjatë konferencës, ministri theksoi se është i hapur për të gjitha format e bashkëpunimit në të ardhmen dhe ofroi mbështetje maksimale për Automobile Club Albanian në hapat e saj për promovimin e sigurisë rrugore dhe gjithë aktivitetit. Gjatë deklaratës për shtyp, Todt vuri në dijeni gazetarët se vizita e tij kishte si qëllim kryesor promovimin e dekadës për sigurinë rrugore 2011-2020 dhe fushatën e veprimit të sigurisë rrugore nga FIA.

Në mbrëmje, zotit Todt iu rezervua një takim i veçantë nga kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha. Duke i uruar mirëseardhjen mikut të nderuar, kryeministri Berisha vuri në dukje se automobilizmi është nga sportet më të ndjekura në Shqipëri, ashtu siç është i njohur edhe emri i Jean Todt si menaxher i përgjithshëm i Ferrarit, kur pati siguruar titullin e kampionit të Formula Një në vitet 2000-2004. Ai e siguroi Presidentin e FIA-s se qeveria po bën përpjekjet maksimale për mënjanimin e aksidenteve, nëpërmjet një përmirësimi rrënjësor të infrastrukturës rrugore, të futjes së vëzhgimit digital në respektimin e rregullave dhe rritjes së kërkesave ndaj drejtuesve të mjeteve. Kryeministri premtoi se qeveria do ta mbështesë Federatën Shqiptare, në veprimtarinë e saj.

Nga ana e tij Z. Todt. vuri në dukje se FIA është angazhuar në një fushatë sensibilizimi për mënjanimin e aksidenteve automobilistike, nga të cilat gjatë vitit 2012 kanë humbur jetën 1.5 milion vetë dhe janë plagosur 50 milionë të tjerë. Ai vlerësoi angazhimin në këtë fushatë të ACA-s, e cila po bën një punë të mirë edhe për zhvillimin e sportit të automobilizmit në Shqipëri.

Automobile Club Albania, për nder të këtij personaliteti të veçantë, organizoi një takim koktejl në mjediset e hotelit Sheraton, në praninë e të ftuarve mjaft të veçantë dhe personaliteteve të shquara të përfaqësive diplomatike ndërkombëtare, institucioneve të Bashkimit Evropian, ministrive të linjës, Bashkisë së Tiranës, fushës së medias, sportit, kompanive të sigurimit, bankave dhe shumë dashamirësve të tjerë.

Në mbyllje të vizitës, Jean Todt theksoi se vetëm përmes bashkërendimit në nivel të gjerë dhe vënies në jetë të praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara, mund t’i jepet një goditje e fortë problemeve të sigurisë rrugore, për të arritur qëllimin e uljes me 50% të humbjeve të jetëve dhe dëmtimeve serioze nga aksidentet rrugore deri në vitin 2020. “Parandalimi është investimi më i sigurt dhe me rezultatet më të mira, si nga ana financiare ashtu dhe nga ajo e shpëtimit të jetëve”- theksoi ai.

Para largimit të tij në aeroportin e Rinasit, ai shprehu një falënderim të veçantë për Automobile Club Albania, për të gjithë punën e deritanishme dhe arritjet e rëndësishme të klubit në arenën ndërkombëtare në kaq pak kohë, duke u shprehur i bindur se klubi është në rrugën e duhur sipas direktivave të FIA-s dhe ofroi mbështetjen e tij për të gjitha iniciativat në të ardhmen në sportin motorik, asistencën rrugore për të gjithë anëtarët në mbarë globin dhe promovimin e sigurisë rrugore.