Të jesh shtatëzënë dhe të ngasësh makinën

0
5554

A mund të ngas makinën gjatë shtatzënisë?

Natyrisht që mundeni. Gratë shtatzëna mund të ngasin makinën përderisa ndihen mirë! Por këshillohet që ato të mos e përdorin mjetin më shumë se 2-3 orë në ditë.

Është shumë e rëndësishme që të dëgjoni trupin tuaj. Nëse ndiheni keq, keni marramendje apo iu vjen për të vjellë, më mirë mos e ngisni makinën, sepse mund ta humbisni vëmendjen dhe kështu rrezikoni veten dhe foshnjen tuaj, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Megjithatë, nëse ngarja e makinës iu jep kënaqësi dhe nuk keni asnjë shqetësim, atëherë nuk keni arsye përse të mos e bëni këtë.

Deri në cilin muaj të shtatzënisë mund të ngas makinën?

Nëse deri tani keni përdorur rregullisht makinën, nuk keni arsye të mos vazhdoni edhe më tej me shprehitë e zakonshme. Megjithatë, nëse në fillim të shtatzënisë ndiheni e lodhur dhe keni të përziera, pra nuk ndiheni edhe aq mirë, shmangni ngarjen e makinës gjatë kësaj periudhe sepse  mund të mos jeni shumë e përqendruar. Po ashtu, pas muajit të shtatë, do të lëvizni gjithnjë e më me vështirësi.  Ka mundësi që në situata kritike gjatë ngarjes së makinës të reagoni më ngadalë, prandaj është më mirë  që gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë të kënaqeni duke iu shërbyer të tjerët.

Nënës së ardhshme i këshillohet të mos e ngasë makinën më shumë se 2-3 orë, dhe pas kësaj I sugjerohet të pushojë minimumi 2-3 orë, para se të ulet përsëri për të drejtuar mjetin. Natyrisht është shumë e rëndësishme që të vendosni rripin e sigurimit, të pini shumë ujë dhe të bëni pauza të shpeshta!

Vërejtje: Shmangni ngarjen e makinës nëse e keni barkun shumë të madh, gati për të prekur timonin.

Para shtatzënisë e kam ngarë makinën tërë kohën, por tani kam frikë. Si ta përballoj këtë frikë?

Është shumë normale që keni një dozë frike, sepse tani jeni përgjegjëse edhe për foshnjen në bark. Nëse edhe më parë keni pasur stres gjatë ngarjes së makinës, sigurisht që tani gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

Mundohuni të qetësoheni dhe të largoni mendimet negative. Merrni masa (para së gjithash vendosni rripin e sigurimit) dhe rigjeni kënaqësinë e ngarjes së makinës.

A më lejohet të vë rripin e sigurimit, dhe nëse po, si ta vendos atë?

Gjithmonë vendosni rripin e sigurimit!

Pavarësisht nëse ngisni makinën në qytet apo udhëtoni për rrugë më të gjatë, vendosni detyrimisht rripin e sigurimit. Po kështu veproni edhe kur nuk e drejtoni ju vetë mjetin!

Nëse jeni në dilemë se mos rripi i sigurimit mund t`iu lëndojë foshnjen, përgjigja është: jo, sepse ai mbron nënën dhe foshnjen, por e rëndësishme është ta vendosni në mënyrë të drejtë!

Në këtë rast, vendosja e drejtë e rripit të sigurimit nënkupton vendosjen e pjesës së poshtme të rripit nën bark, që të kalojë përmes tërë legenit, ndërsa pjesën e sipërme të tij duhet ta vendosni  përmes krahëve dhe në mes gjoksit (rripi kursesi nuk duhet të kalojë mbi bark). Asnjë nga pjesët e rripit nuk duhet të jetë shumë e ngushtë, por as shumë e lirë. Vendosja e pjesës së poshtme të rripit mbi mitër mund të rrisë shtypjen në mitër dhe paraqet rrezik lëndimi edhe për foshnjen, prandaj bëni kujdes që pjesa e poshtme e rripit të kalojë gjithmonë nën bark.

A mund të shkaktojnë dëme jastëqet me ajër?

Në raste përplasjesh, jastëku me ajër fryhet vetëm në pjesën e kokës dhe boshtit të gjoksit, prandaj në parim ai nuk paraqet rrezik për foshnjen. Jastëku me ajër dhe rripi i sigurimit do ju mbrojnë ju dhe foshnjen tuaj në raste përplasjesh eventuale.

Në rast se e ngisni ju vetë makinën, qëndroni sa më larg timonit (minimumi 25 cm), sepse duhet të jeni e larguar sa më shumë nga air bag-u (në rast aktivizimi të tij). Kështu do të shmangni shtypjen eventuale.

A iu bën dëm shtatzënave udhëtimi i gjatë me makinë?

Për nënat e ardhshme udhëtimi me makinë është një nga mjetet më të mira të udhëtimit, por ai nuk duhet të zgjasë më shumë se 6 orë, për të shmangur lodhjen e tepërt. Kur udhëtoni në rrugë të gjata, është e rëndësishme ta bëni udhëtimin me etapa.

Gjatë udhëtimit bëni pauza çdo 1,5 – 2 orë. Shëtisni minimumi 5 – 10 minuta që të lehtësoni  qarkullimin e gjakut. Edhe gjatë ngarjes së makinës bëni ushtrime të thjeshta për këmbët (rrotulloni shputat dhe gishtërinjtë).

Gjithashtu, duhet të shmangni udhëtimet në kohë të nxehtë. Më mirë është të udhëtoni në mëngjes. Nëse e keni makinën me kondicioner, rregullojeni temperaturën 4-5 gradë më të ulët se jashtë.

(marrë nga: http://www.bebaime.com/)

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here