Nuk më pëlqen të fitoj gara të mërzitshme! – Ricciardo flet mbi triumfin spektakolar në garën e Kinës

0
1289

Daniel Ricciardo-s i pëlqen t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së vet, në mënyrë të komplikuar. Fitorja sensacionale në Kinë, të dielën e shkuar ishte e gjashta e karrierës së tij. Në të gjitha garat e fituara, piloti australian asnjëherë nuk e ka filluar garën në një pozicion më të lartë se vendi i katërt, duke lënë përsëri shenjë në një prej garave më emocionuese të këtij sezoni.

Ricciardo vinte në këtë garë pas një periudhe jo pozitive, pasi katër nga gjashtë garat e fundit nuk kishte arritur t’i përfundonte dhe dukej se fati nuk ishte në anën e tij kur pësoi një defekt në motor në sesionin e tretë të provave të lira.

Pasi arriti të renditej në vendin e gjashtë gjatë provave zyrtare dhe qëndroi në këtë pozicion për një pjesë të madhe të garës, pilotit të Red Bull iu desh ndihma e Safety Car, e cila u fut në pistë pas përplasjes së dy pilotëve të skuderisë Toro Rosso, Pierre Gasly dhe Brendon Hartley në xhiron e 32.

Kjo gjë bëri të mundur që të dy pilotët e Red Bull të fitonin pozicione në renditje si pasojë e pit stop-it të menjëhershëm. Mekanikët e skuderisë austriake u treguan thuajse perfekt duke i thirrur të dy pilotët njëkohësisht në bokse.

Holandezi Max Verstappen ishte gjithashtu tepër i shpejtë duke tentuar parakalimin ndaj Lewis Hamilton. Ndërkohë gara kryesohej nga finlandezi i Mercedes, Valtteri Bottas i cili parakaloi kryesuesin e kampionatit botëror, Sebastian Vettel.

“Nuk e di se çfarë ndodhi”, tha Ricciardo, i cili mori edhe çmimin “Driver of the Day”, si piloti më i votuar nga ndjekësit e Çmimit të Madh të Kinës. “Mesa duket unë nuk fitoj dot gara të mërzitshme. Fitoret e mia janë gjithnjë emocionuese”.

“Ishte një moment i tensionuar, kam dëgjuar makinën e sigurisë (që ishte duke u thirrur) në T14. Ekipi tha se duhej të futeshim të dy në bokse për të kryer pit-stopin. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt.

Kjo na dha motivim për t’u rinisur. Nuk menduam se do të zgjaste aq gjatë, por gomat e buta (soft) rezistuan dhe ritmi jonë ishte impresionues.

I vetëdijshëm se ishim në ritmin e duhur, nuk do të lejoja të më ikte si mundësi. Çdo fitore që kam arritur ka qenë në rrethana të tilla, e çmendur, emocionuese. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, edhe falë ndihmës së skuderisë. I falënderoj të gjithë,- tha piloti i Red Bull.

“Deri një ditë më parë mendoja se do ta fillonim garën në fund të renditjes (pas problemit në motor).

“Falë punës së palodhur të skuderisë arritëm sot shpërblimin e vërtetë. Faleminderit të gjithëve. Mekanikët treguan një përkushtim të jashtëzakonshëm.”
Parakalimi i Ricciardo kundrejt Hamilton erdhi nga një lëvizje e spikatur, ndërkohë që momenti iparakalimit të australianit ndaj Bottas ishte një lëvizje e guximshme gjithashtu, duke i dhënë atij kryesimin.
“Ndonjëherë thjesht duhet të vendosësh të marrësh përsipër rrezikun dhe të ecësh përpara,” tha ai për lëvizjen kundrejt Hamilton. “Jam shumë i kënaqur. Kishim goma të buta, kështu që e dija se mund të përfitoja më shumë nga frenimi sesa të tjerët. Shpesh ky shans të vjen vetëm një herë kështu që unë vendosa mos ta humbas mundësinë time – shtoi australiani.
“Gjendesha afër Bottas dhe hasa vështirësi, megjithatë e pashë teksa mbrohej dhe vendosa të parakaloj por ai u afrua më shumë. Mendova të dilja jashtë … e dija se do të kishte hapësirë ​​të mjaftueshme. Në rastin më të keq do të më duhej të prisja edhe një xhiro tjetër pas tij.”
Drejtuesi i Red Bull, Christian Horner pati plot lëvdata për australianin: “Daniel është treguar tepër cinik për mënyrën se si e fitoi garën, kishte lëvizje impresionuese”, tha ai. “Lëvizja më e bukur ishte ajo në kthesën 14 kur Daniel ndodhej pas Lewis por ai parakaloi shkëlqyeshëm, duke ia arritur qëllimit.”
“Një paraqitje e shkëlqyer nga ekipi sot, duke nisur nga djemtë, të cilët u treguan thuajse perfekt gjatë double pit-stop. Ata ekzekutuan strategjinë e skuderisë tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ricciardo ishte i vetmi pilot në sezonin 2017, që arriti të fitonte një garë, duke u nisur poshtë pesë të parëve, kur triumfoi në Baku vitin e kaluar. A do të mundet australiani ta ruajë formën e tij dhe të jetë pretendent për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit në fund të muajit?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here