Mazda 6

Ndërrim hapi

Proporcione krejtësisht të reja: kofano i gjatë, forma më agresive dhe plot dhjetë centimetra më shumë ndërmjet akseve. Kështu vetura dhe versioni station wagon do të provojnë të bëjnë sërish për vete automobilistët evropianë. Një ndihmë vjen nga motori i ri diesel, që është që tani i homologuar Euro 6.

Tek Mazda nuk kënaqen duke dizenjuar makina më linja tërheqëse. Atyre u pëlqen të etiketojnë çdo fazë stilistike të historisë së markës me emra ndjellës. Kështu për shembull, filozofia estetike që ka drejtuar definimin e modelit të ri Mazda 6 quhet “kodo”, një term që fjalë për fjalë përkthehet si “shpirti i lëvizjes”. E në fakt, tek Mazda 6 e re lëvizje ka mjaftueshëm: format fluide bien në sy tek pjesa e bishtit, ashtu si tek parafangot e parë, mbi të cilët merr formë një gdhendje e thellë dhe e harkuar, që zë fill tek maskerina e madhe dhe shuhet në fillim të dyerve të para, pikërisht poshtë pasqyrave anësore.

Por nuk është vetëm linja që jep ndjesinë se kjo Mazda 6 është më elegante se e mëparshmja. Në krahasim me këtë të fundit, modeli i ri është rritur deri në 4,87 metra, 10 centimetra më shumë, të cilët i shtohen tërësisht hapit të veturës (nga 273 cm në 283 cm). Makina gjithashtu është zgjeruar me 4 cm, për të arritur në një total prej 1,84 cm. Më pak domethënëse është rritja e modelit wagon, që në mënyrë të habitshme është madje më i shkurtër se versioni veturë: gjatësia arrin 4,80 metra.

Por sipas Mazda-s, risitë e vërteta të 6-ës gjenden nën “lëkurë”, në atë paketë teknologjish të quajtur Skyactiv dhe që i janë aplikuar shasisë, transmisionit dhe mbi të gjitha, njësive motorike. Për sa i përket motorëve, gama përfshin dy njësitë me benzinë Skyactiv-G 2.0 me 150 kf dhe 2.5 litra me 192 kf, si dhe versionin diesel Skyactiv-D 2.2, i ofruar në dy nivele fuqie prej 150 dhe 175 kf, që respekton që tani normativën Euro 6.

Edhe sistemi i frenimit regjenerues i-Eloop, i cili debuton pikërisht tek Mazda 6, për tu përhapur më tej edhe në pjesën tjetër të gamës, synon të arrijë efiçencën maksimale: energjia e rikuperuar në fazën e ngadalësimit është e destinuar të ushqejë sistemet bordit. Kjo energji akumulohet në një kondensator, i cili, në krahasim me bateritë e përdorura në sistemet tradicionale, ka avantazhin të karikohet më shpejt dhe ti rezistojë më shumë shpërbërjes së energjisë.

Brenda është tradicionale

Kabina ka një pamje mjaft klasike, të pasuruar nga detaje të shumta metalike. Në bord vërehen dy monitorë, njëri përpara shoferit prej 3,5” dhe tjetri në qendër të panelit prej 5”.

Këmbët janë më mirë

Mazda 6 e re ofron më shumë hapësirë në kabinë (për gjunjët e atyre që ulën prapa ka 4,3 cm shtesë në dispozicion) dhe më shumë siguri, falë pajisjeve si kontrolli i ndërrimit të pavullnetshëm të korsisë dhe sistemi kundër përplasjeve në qytet. / www.monitor.al