iRAP Dedikuar shpëtimit të jetëve

Programi “International Road Assessment Programme, iRAP” ose “Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Rrugëve” është një organizatë jo fitimprurëse e përkushtuar për të shpëtuar jetë përmes rrugëve më të sigurta. iRAP punon në bashkëpunim me organizata qeveritare dhe jo-qeveritare për të vlerësuar rrugët me rrezik të lartë dhe për të zhvilluar plane investimi për rrugë më të sigurta, ofron mbështetje, trajnime dhe teknologjinë e nevojshme për të krijuar dhe zhvilluar kapacitete kombëtare dhe rajonale si dhe ndjek performancën e investimeve në fushën e sigurisë rrugore në mënyrë që agjencitë mbështetëse me fonde të mund të përfitojnë nga investimet e tyre. Programet e Vlerësimi të Rrugëve janë tashmë aktive në më shumë se 60 shtete nëpër Europë, Azi, Paqësor, Amerikë të Veriut e të Jugut si dhe në Afrikë.

Cdo ditë më shumë se 3.500 njerëz vdesin në aksidente rrugore në botë; 137.000 të tjerë dëmtohen rëndë ose mbesin me paaftësi të formave të ndryshme.

Trauma rrugore është një krizë publike shëndetësore serioze dhe në përkeqësim të vazhdueshëm me hapa të shpejta. Kjo krizë vihet re më së tepërmi në vendet në zhvillim në të cilat ndodhin 9 nga 10 vdekje apo dëmtime serioze gjatë aksidenteve rrugore.

Në rang botëror, përplasjet në rrugë janë shkaku kryesor i vdekjes së të rinjve të grupmoshës 10-24 vjeç dhe një vrasës global në shkallën e malaries dhe tuberkulozit.

Përveç hidhërimit të shkaktuar nga trauma rrugore, përplasjet rrugore janë shpesh herë dhe një faktor kryesor në përkeqësimin financiar të shumë familjeve. Humbja e një personi me rrogë si pasojë e vdekjes apo humbjes së aftësisë për punë mund të jetë shkatërrimtare dhe mund të çojë një familje deri në nivelet limit të varfërisë.

Si një pjesë e një përqasjeje sistematike të sigurisë rrugore, që përfshin përdorues më të sigurt të rrugës, mjete më të sigurta rrugore dhe rrugë më të sigurta, iRAP mund të ndihmojë në përmirësimin e kësaj krize dhe në shpëtimin e mijëra jetëve.

Vdekja dhe dëmtimi në rrugë është i parandalueshëm.

Përmirësime të thjeshta dhe të përballueshme nga pikëpamja financiare në infrastrukturën rrugore mund të kenë fuqinë për të ulur në mënyrë dramatike riskun e ndodhjes së aksidenteve dhe ashpërsinë e tyre.

Duke investuar në elementë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurinë rrugore si mbrojtëse anësore, vendkalime këmbësorësh, barriera mbrojtëse dhe sinjalistikë rrugore, rrugët me risk të lartë mund të “falin” më shumë, pra mund të bëhen më të sigurta.

Përqasja sistematike e iRAP ndihmon që rrugët të bëhen më të sigurta për pasagjerët e automjeteve, motoçiklistëve, çiklistëve dhe këmbësorëve.

Përqasja përfshin disa hapa kryesore ku përfshihen ngritja e partnershipeve, inspektimi i rrugëve, vlerësimi me yje të sigurisë, hartimi i planit të investimeve për rrugë më të sigurta, krijimi i hartave të rrezikut, ndjekja e performacës në sigurinë rrugore, mbështetje në kapacitete.

Programi mbështetet nga Fondacioni i FIA-s për Automjetin dhe Sigurinë. Projektet e fondacionit marrin mbështetje nga Banka Botërore, bankat rajonale të zhvillimit dhe donatorë të tjerë. Qeveritë kombëtare, shoqatat automobilistike, fondacionet bamirëse, industria motorike dhe institucione të tilla si Komisioni Europian gjithashtu mbështesin programet e vlerësimit të rrugëve në vendet e zhvilluara.

Tashmë, përmes Automobile Club Albania, Qeverisë së Shqipërisë, Bankës Botërore dhe shumë mbështetësve të tjerë, një iniciativë e tillë mund të bëhet e mundur edhe në vendin tonë. Programe të tilla vlerësimi janë provuar si shumë të suksesshme në shumë vende të rajonit përfshirë Serbinë, Kroacinë, Slloveninë dhe më së fundmi Moldavinë dhe në përgjithësi të gjithë programet kanë një standard shumë të lartë përfitimi ku mesatarisht një euro e investuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore vlerësohet me 8-10 euro të kursyera si pasojë e parandalimit të aksidenteve rrugore, por ajo çka është më kryesorja SHPËTOHET JETË.