Fëmijët: Të gjitha gabimet në makinë

Sipas një studimi të kryer nga gazeta prestigjioze “New York Times”, në Shtetet e  Bashkuara të Amerikës  vetëm pak shoferë e kanë idenë se si duhen mbajtur fëmijët në makinë. Prindërit ndihen më të sigurt kur e  mbajnë fëmijën në krah. Pikërisht atje, në vendin më të zhvilluar të botës, për arsye sigurie, autoritetet e materniteteve dhe të shtetit të pengojnë ta marrësh në shtëpi fëmijën e sapolindur, nëse më parë nuk firmos një deklaratë ku pranon se do ta transportosh duke e vendosur në karrige të posaçme për të sapolindurit, të pajisur me shumë rripa sigurimi. Ndryshe nga Amerika, në disa vende të Evropës situata është krejt tjetër. Madje e keqja nuk ka kufi… Kështu, vetëm në Itali, 60 për qind e fëmijëve qëndrojnë në makinë në mënyrë shumë të rrezikshme. Rreziqet e një mënyre të tillë vërtetohen plotësisht edhe nga shifrat. Çdo vit, 7000 fëmijë plagosen rëndë dhe një numër i madh humbasin jetën për shkak të  mosndjekjes së rregullave të duhura në makinë. Për të mos folur pastaj për vende të vogla, ku rregullat për mbajtjen e fëmijëve në makinë nuk i di kush, e jo më t’i respektojë. Megjithatë, bilanci italian është vërtet tragjik dhe zë një peshë të konsiderueshme edhe në të dhënat e përgjithshme për aksidentet rrugore në nivel evropian. Kështu, në gjithë Evropën, nga 50 mijë të vdekur dhe 1,7 milionë të plagosur, 10 për qind e tyre janë fëmijë. Ёshtë mendim i gabuar dhe i vjetër sa bota ai që e konsideron më të sigurt fëmijën kur qëndron në krahët e prindit. Një ide tërësisht e gabuar, sepse në rast aksidenti të papritur, i rrituri nuk është kurrë në gjendje të mbajë fëmijën, pavarësisht forcës së tij dhe peshës së fëmijës. Prandaj është e nevojshme të theksohet se një fëmijë, që peshon 16 kilogramë dhe që udhëton në një makinë me të paktën 40 kilometra në orë, në rast përplasje me një pengesë fikse, merr një energji kinetike më të madhe në krahasim me peshën e makinës me të cilën udhëton. Asnjë i rritur (energjia e tij kinetike, veç të tjerash, është akoma më e madhe dhe mblidhet me atë të fëmijës) nuk është në gjendje ta mbajë. Këto janë të dhëna të thjeshta, megjithatë shumë prindër, dhunojnë kodin rrugor, duke vazhduar të ulen në makinë në vendet e përparme me fëmijën në krahë ose duke e vendosur atë në këmbë në sediljen para vetes, çka është akoma më e rrezikshme sepse pothuaj të gjitha makinat e sotme janë të pajisura me airbag. “Jastëku” që të shpëton jetën, në fakt është ndërtuar dhe projektuar për t’u hapur vetëtimthi dhe për të mbrojtur të rriturin që mban edhe rripin e sigurimit. Kësisoj, për të vegjëlit ai është një “mekanizëm” vërtet vrasës, qoftë edhe në një pengesë të vogël (airbag-u hapet në rast aksidenti duke nisur nga një shpejtësi 24 kilometra në orë), ndërsa shpejtësia me të cilën vetë airbag-u shfaqet në kabinë, është 300 km/orë. Por jo vetëm kaq, airbag-u është i mbështjellë me një material plastik dhe hapet në një mënyrë aq të “dhunshme”, saqë shpesh mund të thyejë edhe pjesën plastike me të cilën është mbështjellë. Normalisht, airbag-u është projektuar të qëndrojë ngjitur me kroskotin, ose të “qëllojë” në drejtime të kundërta me atë të kabinës, por nëse mbi kroskot është mbështetur një fëmijë, pasojat janë të paimagjinueshme. Për të ditur më shumë hollësi mjafton të lexosh librin udhëzues të çdo makine. Megjithatë, një gjë është e sigurt: është e pafalshme që sjellja e papërgjegjshme e prindërve për mbajtjen e fëmijëve në makinë të kalojë pa u ndëshkuar nga policia dhe ligjet e çdo shteti. Sot në Evropë janë të pakta rastet kur mënyra të tilla  ndëshkohen.