“Drita e Gjelbër”, mësojnë fëmijët, mësojnë dhe të rriturit

greenlight-logo

Në vendin tonë ndodhin çdo vit 2000 aksidente rrugore. Në to humbin jetën rreth 270 veta, plagosen rëndë 370 veta dhe lëndohen më lehtë 2000 të tjerë. Këto shifra janë vërtet alarmante. Ato gjejnë shpjegimin e tyre në rrethanat historike në të cilat ndodhi zhvillimi i automobilizmit në shoqërinë shqiptare. Për më se 50 vjet, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku veturat private ishin të ndaluara. Pamjet e sheshit “Skënderbej” të atyre viteve i ngjanin një peizazhi hënor. Kjo krijoi një traditë të mbrapshtë. Këmbësorët bënin ligjin në rrugët automobilistike. Ata instinktivisht futeshin lirshëm në to, për faktin e thjeshtë se nuk kishte automobila që mund t’u rrezikonin jetën. Rritja e shpejtë dhe anarkike e shkallës së motorizimit, në një vend me një traditë të tillë, solli shifrat e mësipërme. Tani, parandalimi i aksidenteve rrugore është shndërruar në një sfidë për gjithë shoqërinë, sepse të rriturit me sjelljen e tyre të gabuar po edukojnë keq edhe vetë fëmijët e tyre. Pikërisht edukimi i fëmijëve është një nga hallkat që ka kapur Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA), në mbështetje të aksionit ndërkombëtar për sigurinë rrugore, të iniciuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA).

ACA ka organizuar transmetimin e një seriali televiziv të quajtur “Drita e Gjelbër”. Një prodhim spanjoll, i përshtatur tërësisht në shqip, që vjen me 26 episode ku trajtohen tema të ndryshme në lidhje me sjelljen e fëmijëve në rrugë.

Nëpërmjet disa personazheve simpatikë si Instruktorja (policja e trafikut), Poçi (drita e semaforit), por edhe miqve (Lola dhe Coli) paraqiten me një pedagogji të arrirë dhe me ndihmën e humorit, rregullat kryesore të sigurisë rrugore. Në këtë mënyrë, seriali jo vetëm i edukon, por edhe i argëton fëmijët, kryesisht ata të grupmoshës nga 5 deri në 12 vjeç.

Nga ana e tyre, edhe të rriturit që mund të shoqërojnë fëmijët, nuk duhet të ndihen të përjashtuar pasi siç e thamë duhet të edukohen ata vetë me të gjitha rregullat dhe njohuritë bazë. Madje fëmijët, me butësinë dhe ëmbëlsinë e tyre të natyrshme, mund t’i ndihmojnë ta bëjnë këtë.

Në çdo seri, fëmijët do të kenë mundësi të përjetojnë aventura të bukura dhe edukuese me personazhe që do të bëhen shumë të dashur për ta.

Policja e trafikut (instruktorja), mendon se mënyra më e mirë për të parandaluar aksidentet është edukata. Ajo u tregon fëmijëve sesi duhet të sillen dhe të veprojnë në situata të ndryshme për të mos u lënduar.

Poçi, është semafori fluturues, i cili gjithmonë i bën fëmijët të qeshin, kur ndihmon policen gjatë shpjegimeve, duke përdorur duart e tij dhe ngjyrat e tij (jeshilja – kur personazhet kanë vepruar ashtu siç duhet; e verdha – duhet të tregohen të kujdesshëm; e kuqja – keni shumë për të mësuar).

Coli është personazhi që nuk i njeh mirë rregullat e qarkullimit rrugor, por ai do që t’i mësojë ato sa më parë. Ai gjithmonë përpiqet për të bërë atë që është më e mira, por askush nuk i ka shpjeguar atij se cila është gjëja e duhur.

Ndërsa Lola sillet shumë mirë dhe është shumë e respektueshme me të tjerët. Ajo i njeh mirë rregullat e sigurisë rrugore dhe shpeshherë e ndihmon shokun e saj, Colin.

Me përfundimin e këtij seriali, fëmijët do të kenë përftuar disa njohuri bazë mbi rregullat e trafikut rrugor, si dhe do të kenë kuptuar se përse është e rëndësishme që ato të respektohen gjithmonë. Mungesa e informacionit dhe njohurive mbi rregullat kryesore të sigurisë rrugore është shkaku kryesor i mijëra aksidenteve.

Në planet e afërta të Automobile Club Albania është edhe materializimi i këtij seriali në një tekst të përshtatshëm për arsimin 9-vjeçar. Në këtë mënyrë, rregullat e sigurisë rrugore do të mund të mësohen që në bankat e shkollës, si një mënyrë për të parandaluar në të ardhmen pasoja që çdo ditë rëndojnë mbi shoqërinë tonë.

ACA_01

ACA_05

ACA_04

ACA_03

ACA_02